Kamza Basket fiton Ligën Sigal U20 Djem!

Kamza Basket fiton Ligën Sigal U20 Djem 2024-25!
Liga Sigal U20 përmbylli me sukses edicionin e saj të parë, duke sjellë një hap të rëndësishëm për zhvillimin e brezit të ri të basketbollistëve shqiptarë. Në finalen e madhe, Kamza Basket u shpall kampione pas një ndeshjeje të fortë dhe të bukur kundër Teutës.
Ky kompeticion u bë i mundur falë vizionit dhe mbështetjes së Presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, z. Avni Ponari, si dhe sponsorit kryesor, SIGAL UNIQA, të cilët po investojnë në të ardhmen e basketbollit shqiptar.
Një falënderim i veçantë për Teutën për ndeshjen finale dhe për të gjitha ekipet pjesëmarrëse që kontribuan në këtë edicion të parë të Ligës Sigal U20.
Ajet Cahani (Kamza) shpallet MVP i Ligës “Sigal U20” për djem!
Një sezon i shkëlqyer dhe një vlerësim për performancën e tij në fushë.
Në mbylljen e Ligës “Sigal U20” për djem, presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, z. Avni Ponari, mbajti një fjalim të veçantë, duke vlerësuar përkushtimin dhe pasionin e treguar nga të gjithë pjesëmarrësit gjatë këtij sezoni.
Në këtë ceremoni morën pjesë figura të njohura të basketbollit shqiptar, trajnerë, lojtarë, si dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, z. Armand Duka, i cili nderoi me praninë e tij këtë aktivitet të rëndësishëm për të rinjtë e basketbollit shqiptar.
Presidenti Ponari theksoi rëndësinë e investimit tek të rinjtë dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Federatës për të krijuar mundësi dhe kushte gjithmonë e më të mira për zhvillimin e sportit në vend.
Një tjetër sezon që konfirmon përkushtimin për të ardhmen e basketbollit shqiptar!