08.10.1956 – 05.02.2021
I bashkohet parajsës sot, një ndër ikonat e basketbollit shqiptar, për të cilin ndarja ishte e parakohshme.
Humbja e tij do të ndjehet gjatë në mbarë komunitetin tonë ,mjedisin akademik sportiv, në të cilin ai zë një vend nderi.
Arben Fagu e filloi karrierën e tij sportive, në moshë fare të re, në ekipin e klubit sportiv Partizani, ekip të cilit nuk iu nda asnjëherë, deri në vitet e fundit të karrierës së tij si trajner.
Arben Fagu, në ekipin e Partizanit, numëron shumë tituj kampion dhe fitues i disa kupave të Shqipërisë. Ai ka kontributin e tij të padiskutueshëm si sportist, në aktivitetet kombëtare dhe ato ndërkombëtare.
Arben Fagu, në karrierën e tij si trajner, shenjon në CV-në e tij rekorde si trajner i ekipit të Partizanit, Dinamos, Studentit dhe Universitetit Amerikan të Tiranës .
Së fundmi, karriera e tij si trajner, mbyllet me ekipin të cilit i ka kushtuar jetën.
Arben Fagu – trajner i ekipit kombëtar të të rinjve dhe meshkuj të rritur në periudha të ndryshme kohore.
Si trajner dhe profesor, do të pregatiste disa gjenerata lojtarësh, të cilët kanë qenë pjesë e ekipeve kombëtare ndër vite.
Profesor Beni, siç do ta thërrisnin të gjithë, ka qenë shembull i një pune të pakursyer në sport dhe në shoqëri. Pasionant dhe i disiplinuar, njohës mjaft i mirë i basketbollit modern dhe aplikues i tij me ekipin për të cilin punoi me shumë përkushtim gjatë gjithë jetës së tij.
Arben Fagu, do të mbahet mend edhe si një kritik mjaft aktiv për problematikën dhe zhvillimin e basketbollit në vend.
I paharruar kujtimi i tij, ngushëllime të gjjthë familjarëve dhe familjes së basketbollit për këtë humbje kaq të rëndë!
Leave a Reply