
Lamtumirë miku ynë i shtrenjtë, Viron Toska!
Mëngjesi i së mërkurës solli një lajm të kobshëm për komunitetin e basketbollit në Shqipëri. Trajneri legjendar i basketbollit vlonjat dhe atij shqiptar ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur. Njeriu që i dha Vlorës dhe koshit shqiptar adrenalinën e tij të pashterur, Viron Toska ishte trajneri që mbajti gjallë dëshirën e një qyteti të tërë.
Duke drejtuar me përkushtim dhe me pasion ekipin e vajzave të Vlorës, ai e shndërroi Flamurtarin në një prej skuadrave më të pathyeshme të dy dhjetëvjeçarëve të parë trë këtij mijëvjeçari të ri, duke shkruar një kapitull të artë të historisë së basketbollit shqiptar.
Me 36 trofe të fituara 13 tituj kampion 12 superkupa e 11 kupa te Republikes në karrierën e tij me një skuadër të vetme, Flamurtarin, ai skaliti emrin e tij si një nga trajnerët më të spikatur të sportit tonë. Me ndarjen e parakohshme të tij nga jeta, familja humbi njeriun e dashur, ndërsa basketbollit shqiptar do t’i mungojë zëri i tij kumbues, adrenalina dhe emocionet që Viron Toska përcillte.
Në emër të të gjithë komunitetit të basketbollit, i përcjell familjes së tij ngushëllimet më të sinqerta për këtë ndarje të papritur nga jeta të këtij anëtari të pazëvendësueshëm të familjes sonë të madhe.
Pushofsh në paqe, miku ynë i shtrenjtë, Viron Toska!
Leave a Reply