Nënshkruhet themelimi i Ligës Unike!

Dje, më 10 shtator, ora 19:00 në Tiranë u nënshkrua marrëveshja historike ndërmjet Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB) dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) për themelimin e Ligës së basketbollit, mes dy shteteve, që do të quhet “Liga UNIKE”.

Marrëveshja u nënshkrua nga Presidenti i FSHB-së, Z. Avni Ponari, dhe kryetari i FBK-së, Z. Arben Fetahu, në praninë e Znj. Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri dhe Znj. Vlora Dumoshi, Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z.Edi Rama, dhe Presidenti i FIBA Europe, Z.Turgay Demirel. Të cilët njëherësh zbuluan edhe logon e Ligës UNIKE,

Pas një pune të gjatë dhe intensive mes dy federatave, më në fund u jetësua ëndrra për zhvillimin e veprimtarive basketbollistike të trevave shqiptare.

Në  Ligën Unike do të marrin pjesë tetë skuadra, katër më të mirat nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria.

Liga Unike pritet të fillojë së shpejti, gjatë këtij edicioni sportiv, dhe parashikohet të jetë shumë interesante, duke zgjuar interesimin e tifozëve shqiptarë, kurse në parket pritet të ketë shumë rivalitet mes skuadrave që do të përfshihen në këtë kompeticion.

Duhet theksuar se ky është një hap i madh për basketbollin në hapsirat shqiptare duke formuar ligën UNIKE.

Ky projekt është përkrahur nga komuniteti i basktebollit në Shqipëri dhe Kosove, duke e konsideruar ate si një event të shumëpritur, ai gjithashtu është përkrahur edhe nga FIBA Europe.

 

Foto Album:

previous arrow
next arrow
Slider

 

Fjalimi i z.Ponari – President i FSHB:

“I nderuar z.Kryeministër,

Të nderuara znj. Ministre të dy shteteve shqipfolëse,

I nderuar Z.Demirel – President i FIBA Europe,

Të nderuar miq dhe të ftuar,

Në këto kohë të pazakonta, shprehja unike “Unë kam një ëndërr”, në fakt jo vetëm unë por “NE kemi një ëndërr” po bëhet realitet. Kjo ëndërr është e të gjithë komunitetit mbarëshqiptar të basketbollit në Shqipëri dhe Kosovë dhe unë ndjehem sa krenar aq edhe i emocionuar, që sot, do të firmos një akt-marrëveshje sa sportive aq edhe patriotike, aktin e themelimit të LIGËS UNIKE të Basketbollit.

Ky projekt shumë-vjeçar, vjen i maturuar me terma konkretë dhe të mirëpërcaktuar, me një miratim të gjerë dhe përkrahje nga komuniteti i basketbollit në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe nga familja e madhe ndërkombëtare ku ne aderojmë, FIBA Europe.

Për këtë qëllim na nderon me ardhjen e tij z. Demirel, President i FIBA Europe, mbështetës i jashtëzakonshëm i federatave tona.

Dhe unë dua ta falënderoj sot publikisht këtu, sepse që në momentin e parë që unë i shpreha dëshirën dhe kërkesën time për këtë projekt, projekt të cilin e kisha shumë përzemër që nga dita e parë që u zgjova në krye të federatës, z. Demirel tha menjëherë po dhe na ka mbështetur në të gjitha hallkat e lobimit dhe realizimit të kësaj ëndrre të përbashkët.

Sot, akti i firmosjes, është finalizimi i një rruge jo shumë të lehtë, por vendosmëria dhe përpjekjet tona të përbashkëta, do ta çojnë përpara, drejt një destinacioni të sigurtë, basketbollin e trevave shqiptare, duke e bërë atë më kompetitiv, cilësor, të reklamuar në vend dhe rajon, të suksesshëm, prodhues dhe efektiv.

LIGA UNIKE, është dhe do të jetë Unike, pasi për herë të parë është basketbolli ai që ngre siparin e këtij bashkëpunimi, duke zyrtarizuar me një Akt solemn, zhvillimin e aktivitetit të përbashkët të këtij sporti unik midis trojeve shqiptare, duke respektuar secili prej nesh detyrimet ligjore të zhvillimit të aktiviteteteve në shtetet respektive.

Në cilësinë e Presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, me përkushtimin më të lartë, dua të shpreh angazhimin tim personal, ashtu siç kam bërë nga dita e parë në këtë detyrë, dhe do të vazhdoj ta bëj gjithmonë pa kushte.

 Eksperienca e dy shteteve tona në basketboll, vecanërisht ajo ndërkombëtare, është pjekur, është bërë më profesionale, ka kredite të larta mbarëkombëtare, për të cilën ne jemi të bindur se është e mjaftueshme për ta çuar drejt suksesit dhe jehonës këtë Ligë kaq Unike.

Kryesisht aktet e firmosjeve zgjasin pak, shkëmbim firmash dhe duarsh dhe premtime për arritje të larta, por ajo që vjen pas, do të flasë më gjatë dhe më fort, dhe do të mbetet një shenjë e mirë në historinë e basketbollit të trevave shqiptare dhe më gjerë.

Ju falënderoj për përkrahjen dhe praninë.

Fjalët duhet të jenë të pakta në këto raste, sepse mendoj që duhet ti lëmë kohën kësaj vepre për të folur vetë.

Faleminderit dhe urime të gjithëve!”

 

Prononcime:

(Gazeta Panorama Sport)

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*