Intervista e Z.Ponari-President i FSHB

Presidenti i FSHB, Avni Ponari, në një intervistë për TvT është shprehur se në dijenine tij, nuk ka probleme me pagat e sportistëve, ndërsa Federata nuk ka asnjë borxh dhe ka menaxhuar më së miri situatën  edhe pse granti i qeverisë është i papërfillshëm

“FSHB nuk i ka asnjë borxh askujt edhe pse granti prej 100 mijë eurosh i qeverisë është i pamjaftueshëm për organizimin e aktiviteteve. Ndërsa përsa u përket borxheve që klubet kanë ndaj sportistëve, nuk jam i azhornuar me këtë, por edhe nëse ka, ato janë shumë të vogla”, thotë ai.

Presidenti i FSHB ka folur gjithashtu edhe për idetë për vazhdimin e pjesës së mbetur të kampionatit:

“Ne mendojmë se, pavarësisht vendimeve që janë marrë sot nga disa federata të basketbollit në Europë, përfshirë edhe Kosovën, për ndërprerjen e basketbollit, aty ku ishte ndërprerë, ne ishim me një tjetër plan: Kemi dhënë dy alternativa për vazhdimin e kampionatit të këtij viti. E para ka qenë grumbullimi dhe zhvillimi i ndeshjeve të mbetura në një qytet të caktuar dhe pastaj ndeshjet play-off, dhe nga ana tjetër ka qenë një ide për vijimin e ndeshjeve me dy-tre ndeshje në javë. Pjesa dërmuese e klubeve ka qenë për t’i zhvilluar ndeshjet me sistem grumbullimi dhe ne jemi duke e shqyrtuar këtë version duke menduar se do të bëjmë më të mirën”, tha ai.

Ligji i sponsorizimeve ka qernë shpesh objekt debatesh dhe është folur mjaft për të. Por ligji aktual është i papërshtatshëm dhe nuk ka zgjidhur asgjë

“Nëse ligji i sponsorizimeve nuk ekziston, atëherë nuk mund të flasim për basketboll cilësor dhe as për ndonjë sport tjetër. Mungesa e ligjit bën që sporti të jetë i vakët, të jetë ky që është, me këtë lloj varfërie dhe kjo pandemi nuk ka bërë gjë tjetër veçse i ka shtuar dhimbjen”, përfundon Ponari.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*